Minir Dushi
Minir Dushi (1929, Gjakovë - 2025, Prishtinë) ka qenë inxhinier i xehetarisë dhe profesor universitar nga Gjakova. [1]
Minir Dushi | |
---|---|
![]() | |
Lindi | 1929 |
Kombësia | Shqiptar |
Profesioni | Shkrimtar, Akademik, Profesor |
Biografia
RedaktoMinir Dushi lindi në Gjakovë (1929) ku kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme teknike e mbaroi në Nish në vitin 1950.[2]
Studioi në Fakultetin e Xehetarisë të Beogradit, ku diplomoi në vitin 1958. Doktoroi po ashtu në Universitetin e Beogradit në vitin 1965 dhe atëherë ishte doktor i parë i shkencave teknike në Kosovë. Pas diplomimit, punoi inxhinier në kombinatin e Trepçës, në minierën e Stantërgut. Që prej diplomimit e derisa u pensionua ka ushtruar funksione të ndryshme, herë në Kombinatin e Trepçës, herë në Universitetin e Prishtinës, kurse së fundi ishte anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës. Si punëtor i zhvillimit shkencor në Kosovë, ishte organizator i drejtpërdrejtë, udhëheqës dhe njëri ndër themeluesit e institucioneve shkencore dhe të atyre mësimore-shkencore të Kosovës. Ishte ndër themeluesit e Shkollës së Lartë Teknike në Mitrovicë (1961), të Institutit të Plumbit dhe të Zinkut në Trepçë (1966), të Fakultetit të Xehetarisë dhe të Metalurgjisë (1974) etj.Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës. Me themelimin e Universitetit të Prishtinës (1970), u zgjodh prorektor i këtij universiteti. Në qershor të vitit 1975 u zgjodh profesor ordinar i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë dhe iu besua funksioni i dekanit, të cilin e ka ushtruar dy mandate. Ishte rektor i Universitetit të Prishtinës 1981-1983. Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i saj, në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt. Rreth 5 vjet ishte në krye të Bashkësisë së Institucioneve Shkencore të Kosovës, në institucionin e botimeve shkencore. Nga veprimtaria botuese ka mbi 70 njësi bibliografike: studime, projekte, elaborate, recensione, tekste universitare, botime të veçanta etj. Ka të botuara 8 libra, 5 janë tekste universitare (katër në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën serbokroate), të botuara nga Universiteti i Prishtinës, kurse 3 të tjera janë vepra të veçanta të botuara nga ASHAK-u dhe Bashkësia e Institucioneve Shkencore të Kosovës. Për rezultate të arritura në veprimtarinë shkencore, është laureat i shumë shpërblimeve dhe mirënjohjeve shoqërore, ndër të cilat veçojmë Shpërblimin Krahinor të dhjetorit, shpërblimin Nikolla Teslla dhe atë 7 korriku të RS të Serbisë. Është veteran i Luftës Nacional Çlirimtare - LNÇ (nga viti 1943) dhe njëherësh veteran i Arsimit të Kosovës. Në shenjë të jubileut të 25-vjetorit të Universitetit tonë, iu dha titulli i nderit profesor emeritus. Gjithashtu është bartës i shumë mirënjohjeve nga lufta dhe i mirënjohjeve të tjera shoqërore.Ishte redaktor përgjegjës i revistës Kërkime, të cilën qysh nga viti 1980 e boton ASHAK-u, si dhe kryeredaktor i revistës Plumbzinku, të cilën e ka botuar (1968) Instituti i Plumbit dhe i Zinkut. Ka kontribuar shumë jo vetëm për daljen e rregullt të këtyre revistave, por edhe në përmbajtjen shkencore të punimeve. Njëherësh ishte edhe iniciator për nxjerrjen e këtyre revistave, të cilat për nga disiplinat që trajtojnë ishin të vetmet në Kosovë.
Publikime
Redakto- Transporti në miniera, dispencë për studentët e SHLT (1965).
- Rudarske mašine, tekst universitar, (325 faqe), botuar nga UP 1974.
- Makinat minerare, tekst universitar (375 f.), botuar nga UP 1975.
- Principi izbora racionalnih karakteristika izvoznih tornjeva. Botim i veçantë (135 f.), botuar nga Bashkësia e Enteve Shkencore të KSA të Kosovës, Prishtinë 1968.
- Pajisjet minerare ngitëse. Tekst universitar (298 f.), botues: Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, KSAK, 1988.
- Makinat minerare transportuese, tekst universitar (271 f.), botues: Universiteti i Prishtinës, 1996.
- Sistemet ciklike të transportit, (245 f.), botues ASHAK, Prishtinë, 1999.
- Trepça, botim i veçantë (460 f.), ASHAK, Prishtinë, 2002.
- Universiteti i Kosovës (1981-1983), botim e veçantë i UP (350 f.), Prishtinë, 2004.
- Zhvillimi i shkencave të xehetarisë dhe të metalurgjisë në Kosovë (1970-2005), ASHAK, Prishtinë 2005 (330 fq).
- Veprimtaria shkencore në “Trepçë 1950-1987“, Prishtinë, ASHAK 2006 (305 f).
- Pasuritë minerale të Kosovës Vëllimi I (470 f.), ASHAK, Prishtinë, 2009.
- Pasuritë minerale të Kosovës Vëllimi II (347 f.) ASHAK, Prishtinë, 2009.
- Qymyri i Republikës së Kosovës (543 f.), ASHAK, Prishtinë, 2012.
- Boksitet e Dukagjinit, (231 f.), ASHAK, Prishtinë, 2015.
- Hajdar (Beg) Dushi, Jeta dhe veprimtaria patriotike e Heroit të Popullit (304 f.), botimi i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ të Kosovës dhe Shoqatës “Jakova”.
- Xeheroret e Nikel-Kobalit të vendint tonë (408 faqe), ASHAK 2017.
- Shtigjet e jetës sime (250 faqe), Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, 2018.
Referime
Redakto- ^ "Vdes akademik Minir Dushi". www.kultplus.com. Marrë më 2025-01-28.
- ^ "FJALORI ENCIKLOPEDIK I KOSOVËS I, A-K – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës". ashak.org. fq. 367–368. Marrë më 2025-01-28.