Sofia Noti (1925-1944) ishte një dëshmore shqiptare e Luftës së Dytë Botërore. Ajo ishte partizane dhe infermiere. E kapur rob gjate Operacionit te Qershorit, ajo u var në litar nga nazistët gjermanë në burgun Pavllo Mela, në Selanik, Greqi.

Sofia Noti
Lindi1925
VdiqKorrik 1944
Kombësiashqiptare
Partia politikePartia Komuniste Shqiptare

Sofia Noti lindi në 1925 në Erind, Shqipëri. Pasi i vdiq i ati, ajo u fut në jetimore në Tiranë, dhe, më pas, ndoqi studimet për infermiere. Në vitin 1942 u fut në Rininë Komuniste, e, një vit më vonë, në Partinë Komuniste si dhe shkoi partizane në radhët e Brigadës së III-të SulmueseUshtrisë Nacionalçlirimtare. Ajo ishte pjesë e Batalionit "Naim Frashëri", ku ishte si partizane, ashtu edhe infermiere.[1] Më 8 qershor 1944, batalioni Naim Frashëri ishte në Panarit. Kishin kaluar fare pak ditë nga Kongresi i Përmetit, i cili zgjodhi qeverinë provizore, çka shkaktoi nazistët të fillonin Operacionin e Qershorit në Shqipëri. Qëllimi i operacionit ishte të zhdukte forcat partizane. Në 8 qershor 1944 batalioni "Naim Frashëri" ku ishte edhe Sofia, filloi luftë me 100 forca balliste, të cilat partizanët i mundën dhe i detyruan të tërhiqeshin. Dy ditë më vonë, më 10 qershor 1944 batalioni i Sofisë përballoi dy autokolona me forca gjermane. Gjatë luftimeve, Mehmet Tahiri, një partizan, u plagos, dhe Sofia po e mjekonte. Në atë moment një ushtar gjerman e qëlloi Sofinë me plumb në kofshën e majtë. Ajo humbi ndjenjat, dhe më vonë u kap robe nga gjermanët, së bashku me disa partizanë të tjerë. Robërit u torturuan dhe iu kërkua të hapnin një varr kolektiv për veten e tyre. Si përgjigje, Sofia filloi të këndonte Internacionalen, dhe, zërit të saj iu bashkuan zërat e robërve të tjerë. Më vonë atë ditë, urdhëri i pushkatimit të robërve u tërhoq, dhe të gjithë robërit u dërguan në burgun e Korçës.[2][3]

Më 23 qershor 1944 Sofia dhe të burgosur të tjerë u dërguan nga Korça për në Follorinë, e pastaj në Selanik, ku u burgosën në kampin e përqëndrimit Pavllo Mela. Sofia akoma ishte e plagosur dhe e pashëruar në kofshë, e çalonte kur ecte. Në korrik të vitit 1944 atë e thirrën që ta varnin në litar në oborrin e burgut. Ajo u përshëndet me gjithë shoqet e qelisë, mes të cilave Fato Berberi. Para se ta varnin, Sofia i tha një ushtari nazist që s'kishte nevojë t'i vinte litarin në qafë se e vinte vetë. Pasi vuri litarin në qafë, thërriti "Rroftë Partia Komuniste Shqiptare!". Mbas këtyre fjalëve, nje ushtar gjerman shtyu stolin nga këmbët e saj dhe ajo vdiq e varur.[4] Sofia Noti ishte një ndër 6 vajzat shqiptare që u varën nga nazifashistët në Luftën e Dytë Botërore, nga 2,563 njerëz që u varën në Shqipëri gjatë asaj lufte.[5]

References

Redakto
  1. ^ Malo, Malo (29 nëntor 1978). "Sofia Noti". Pararoja (95 (1, 211)).
  2. ^ Tarifa, Sevo (2016). Yje Gjaku. fq. 95–105. S
  3. ^ Tarifa, Sevo (5 maj 2019). "Për 5 majin dhe ata që dinin të ishin trima edhe përpara litarit". Gazeta Dita. Marrë më 11 maj 2021.
  4. ^ Xhunga, Liri (5 maj 1985). "Bisedë me një ish të internuar". Drita.
  5. ^ Kotani, Apostol. "Roli historik i gruas shqiptare në luftë për liri". Zeri i Popullit. Arkivuar nga origjinali më 10 maj 2021. Marrë më 10 maj 2021.