TV Uskana
Televizioni Uskana (Tv Uskana) është njëri ndër mediumet e para të pavarura në Maqedoninë e Veriut, i cili mbulon hapësirën informative të regjionit të Kërçovës. Sinjalin e parë në eterin e nënqiellit kërçovar ky medium e ka lëshuar qysh para më shumë se dhjetë vitesh të plota pikërisht më 14 korrik të vitit 1993, kur në eterin kërçovar jehoi një zë ndryshe. Ishte fjala e parë "Ju flet Radio Uskana. Që sot e tutje do të keni mundësinë që në kanalin FM stereo 103 Mhz, të ndiqni informata nga më të ndryshmet, për atë çka ngjet këtu pranë nesh, rreth nesh dhe gjithkund".
![](http://up.wiki.x.io/wikipedia/sq/e/ec/Tv_uskana_logo.png)
Ishte kohë kur turbulencat e ndryshimeve, shkonin si valë të tërbuara të detit në furtunë dhe ndryshimet nga e vjetra kah e reja ecnin me hapa marramendëse. Mëpas në eterin e këtij nënqielli u shfaq edhe sinjali televiziv ku shikuesit kishin mundësinë që të shohin edhe përmes kutisë magjike atë çka ndodh rreth tyre. Mbi të gjitha Radiotelevizioni "Uskana" erdhi si plotësim i boshllëkut informativ që mbisundonte në atë kohë dhe me aktivitetin e saj tanimë mbi dhjetëvjeçar ka shënuar nëpër shiritat e saj video dhe audio shumë ngjarje të cilat përshkruan këtë hapësirë gjatë dekadës që lamë pas. Përkujdesja dhe promovimi i traditës dhe kulturës së këtij nënqielli, në veçanti të shqiptarëve, ka qenë, është dhe do të jetë akoma synimi parësor i drejtuesve të këtij institucioni të pavarur informative si dhe plotësimi i nevojës për informim të drejtë, të paanshëm dhe objektiv duke i përcjellur dhe duke i shënuar ato nëpër shiritat audiofonikë, celuloidet filmikë dhe duke i arkivuar ato për t'i ruajtur ato si vlera të çmueshme dhe për t'i shfaqur herë-herë në ekranin e televizionit dhe transmetuar në eterin e radios, për të rikujtuar të kaluarën e afërt dhe të largët të asaj që ndodhi dhe duke pasur gjithnjë në spikamë parimin profesional dhe kodeksin e mirësjelljes gazetareske për informim të drejtë dhe me kohë.
Ky medium i pavarur është në pronësi private dhe pronari i saj, z. Munir Mehdiu, një kurbetçar i dalluar, ka bërë sakrifica të mëdha për të mbajtur gjithnjë gjallë zërin e informimit të drejtë duke u mundësuar kështu kërçovarëve që të jenë të informuar drejt dhe me kohë për çdo ngjarje. Të theksojmë se në kuadër të transmetimeve, në valët e programit tonë gjejnë hapësirë edhe shtëpitë e njohura informative si në radio poashtu edhe në televizion si VOA, EUROPA E LIRË, DW, BBC në shqip etj, përmes së cilave orvatemi që shikuesve dhe dëgjuesve tanë të respektuar t'u ofrojmë informata të nduarnduarta dhe nga çdo sferë e jetës.
Programe aktuale dhe prodhime të TV Uskana
RedaktoNë kuadër të programeve informative Televizioni Uskana është duke transmetuar lajme disa herë gjatë ditës ndërsa në lajmet qendrore të orës 21:30 shikuesit kërçovarë kanë mundësinë që përmes punës së gazetarëve dhe redaktorëve të angazhuar për realizimin e skemës programore, drejtpërsëdrejti dhe më gjerësisht të njoftohen për ngjarjet më të rëndësishme që ngjajnë në nënqiellin kërçovar qofshin ato të natyrës politike, arsimore, ekonomike, sociale, zhvillimore etj.
Emisione :
- Edhe unë jam Uskanë
- Fshati im
- Ku janë Kërçovarët?