Surja e parë al-fatiha në një dorëshkrim të kaligrafistit Aziz Efendi. (Transkriptimi dhe përkthimi gjenden në faqen e përshkrimit të figurës)


Kurani ose kur'an-i (arabisht: القرآن al-Qurʾān, "lexim, recitim") është shkrimi i shenjtë i fesë islame, i sili siç besojnë myslimanët, përmban fjalë për fjalë zbulesën e Zotit (arabisht: Allahut) ndaj profetit islamik Muhamed nëpërmjet engjëllit Gabriel. Kurani përbëhet nga 114 sure të emërtuara, nga të cilat 113 fillojnë me basmala-në (arabisht: بسم الله الرحمن الرحيم bi-smi llāhi r-rahmâni r-rahīm, në emër të Allahut, të të mëshirëshmit, të përdëllyesit). Kjo shprehje përsëritet një herë në suren 27 vargu 30, duke u përdorur kështu gjithësej 114 herë. Kurani është hartuar gjatë një periudhe prej pak më tepër se dy dekadash. Sipas vendit të bërjes së zbulesës, bëhet dallim ndërmjet sureve mekkanase dhe medinase. Suret përbëhen nga një numër i ndryshëm vargjesh (arabisht: aya (shumës: āyāt), ku ato, me përjashtim të së parës, janë pothuajse krejtësisht të radhitura sipas gjatësisë, duke u shkurtuar drejt fundit. Gjithsej kurani përbëhet nga 6236 vargje. Kurani paraqet bazën e shumë degëve të shkencave të arabistikës.Gjuha e tij ka patur ndikim të madh mbi zhvillimin e gramatikës arabe. Përveç fragmenteve të ruajtura deri sot të poetëve paraislamikë, arabishtja kuranike ka vlejtur dhe vlen si normë për të shprehurit korrekt gjuhësor.Nga nevoja e shpjegimit (ekzegjezës) të përmbajtjes së kësaj zbulese, u zhvillua ilm at-tafsir-i, shkenca e interpretimit (të kuranit). Vepra komentuese të hollësishme, shpesh me shumë vëllime, janë hartuar duke filluar që nga shekulli i dytë islamik (shek. 8-të pas Kr.); ndër më të famëshmet konsiderohen ato të 'Abd al-Razzâq al-San'ânî, al-Baghavî, Ibn Abî Hâtim, Tabari, Qurtubi, Risale-i Nur, Ibn Kathir dhe të tjerëve.